Aeroporti i Mynihut është detyruar të pezullojë fluturimet për më shumë se 7 orë, pasi mbi hapësirën ajrore të tij u raportua prania e disa dronëve. Incidenti ka shkaktuar kaos në udhëtime, duke prekur rreth 3 mijë pasagjerë.
Sipas autoriteteve, prania e parë e dronëve u raportua nga dëshmitarë rreth orës 21:30, ndërsa rreth një orë më vonë u konfirmua përsëri mbi zonën e aeroportit. Ngjarja u verifikua edhe nga zëdhënësi i Policisë Federale, Stefan Bayer.
Në total, 17 fluturime u anuluan dhe 15 të tjera u devijuan drejt aeroporteve të tjera si Shtutgarti, Nurembergu, Frankfurti dhe Vjena.
Bayer sqaroi se, për shkak të errësirës, nuk ishte e mundur të jepej informacion mbi llojin apo përmasat e dronëve. Hetimet për identifikimin e tyre dhe rrethanat e incidentit kanë nisur nga autoritetet gjermane.

