Industria evropiane e aviacionit ka paralajmëruar për një mungesë të mundshme të karburantit për avionë brenda javëve në vijim, duke i bërë thirrje Komisioni Evropian që të ndërmarrë masa të menjëhershme për të shmangur një krizë gjatë sezonit veror. Në një letër zyrtare, ACI Europe ka theksuar se kërkesa në rritje për udhëtime, e kombinuar me paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme, mund të çojë në ndërprerje serioze të furnizimit me karburant, me pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë dhe transportin ajror në Evropë.
Sipas të dhënave të industrisë, sektori i aviacionit kontribuon me rreth 851 miliardë euro në vit në ekonominë evropiane dhe mbështet rreth 14 milionë vende pune, ndërsa aeroportet përpunojnë një pjesë të konsiderueshme të eksporteve të kontinentit. Megjithatë, drejtuesit e ACI Europe paralajmërojnë se mungesa e një sistemi të unifikuar për monitorimin e rezervave dhe furnizimit me karburant në nivel të Bashkimit Evropian e bën situatën edhe më të pasigurt. Në të njëjtën kohë, çmimet e karburantit për avionë janë rritur ndjeshëm, duke arritur në 150 deri në 200 dollarë për fuçi, çka po rrit presionin mbi linjat ajrore, pasi karburanti përbën një pjesë të madhe të kostove operative.
Organizata u ka kërkuar institucioneve evropiane që të ndërmarrin hapa konkretë, përfshirë hartëzimin e rezervave ekzistuese dhe të ardhshme, identifikimin e burimeve alternative të importit dhe rishikimin e kufizimeve rregullatore që po pengojnë furnizimin nga vendet e treta. Sipas tyre, nëse nuk ndërhyhet brenda një kohe të shkurtër, ekziston rreziku real që aeroportet evropiane të përballen me mungesa karburanti pikërisht në kulmin e sezonit të udhëtimeve, duke sjellë vonesa, anulime dhe ndikim të gjerë ekonomik.

