Një skandal tjetër i madh është përcjellur në Ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci. Bëhet fjalë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), që është nën ombrellën e Ministrisë së Bujqësisë. Periskopi gjatë ditës së djeshme, raportoi për një fabrikë që i ka kushtuar Kosovës mbi 8 milionë euro. Fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore, i është dhënë për shfrytëzim në mënyrë të dyshimtë një operatori ekonomik, i cili kishte hapur kompaninë pesë ditë pasi AUV-i kishte shpallur tenderin. Dyshimet për këtë skandal thellohen edhe më shumë, ku i implikuar duket të jetë Albin Kurti.
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, më datë 09.01.2025, kishte nxjerrur një vendim që kishte aprovuar dhënien në shfrytëzim të një parcele dhe objektit në Stankovc të Komunës së Gllogocit.
Sipas këtij vendimi të siguruar nga Periskopi, dhënia e kësaj parcele dhe objekti është në interes publik për trajtimin e nënprodukteve shtazore, për nevojat e MBPZHR’së, konkretisht AUV-it.
Siç thuhet në vendim: Funksionalizimi dhe operimi i objektit, do të mundësojë grumbullimin dhe kategorizimin e nënprodukteve shtazore, duke garantuar konceptin e integruar të shëndetit publik (njeri-kafshë-bimë), me qëllim të fundit mbrojtjen e mjedisit.