Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot 36-vjetorin e rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, të cilët u vranë më 2 nëntor 1989 gjatë një përleshjeje të armatosur me forcat jugosllave dhe serbe në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se të dy ishin “shumë të rinj, por edhe shumë të pjekur” — Afrimi 24 dhe Fahriu 26 vjeç — dhe se rënia e tyre “zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe sensibilizoi opinionin publik ndërkombëtar” për kauzën e popullit të Kosovës.
“Rënia e tyre heroike i ngjan aq shumë rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, që pesë vjet më parë u përballën me forcat armike në Kodrën e Trimave. Të dy çiftet e heronjve luftuan deri në fund — Afrimi e Fahriu për më shumë se gjashtë orë në bazën e tyre ilegale në Breg të Diellit,” shkroi Kurti.
Kryeministri tha se trashëgimia e tyre frymëzoi brezat që erdhën më pas — nga Zahir Pajaziti e Ilir Konushevci, deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “me mbi dy mijë dëshmorë të kombit”.
“Jeta, vepra dhe konteksti i rënies së Afrimit e Fahriut duhet të studiohen më thellë nga historianët, sociologët e shkencëtarët tanë. Liria e brezave të ardhshëm varet nga mënyra se si e kuptojmë dhe e përvetësojmë sakrificën e tyre,” përfundon Kurti.
Në fund, ai ka nderuar kujtimin e tyre me fjalët:
“Lavdi Afrimit e Fahriut dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë!”

