Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë 7 Shtatori në Prishtinë dhe të Gjimnazit Vëllazërim Bashkim në Ulqin.
Gjatë bashkëbisedimit, nxënësit dhe kryeministri diskutuan për arsimin në Kosovë, mundësitë e punësimit për të rinjtë, përfitimet nga shkollat profesionale dhe rëndësinë e arsimit dual. Kurti theksoi rolin e arsimit si mjet për ndërtimin e mirëkuptimit ndërmjet të rinjve në rajon dhe rëndësinë e shkollave të mesme si hapësira të sigurta për shkëmbim idesh, bashkëpunim dhe respekt të diversitetit kulturor.
Ai vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet shkollave të Kosovës dhe Malit të Zi, duke veçuar partneritetin mes “7 Shtatorit” dhe “Vëllazërim Bashkimit”, i cili u mundëson nxënësve përvoja konkrete përmes vizitave reciproke dhe qëndrimit në familjet e njëri-tjetrit në Prishtinë dhe Ulqin.
Në takim u diskutua edhe për teknologjinë, digjitalizimin dhe ndikimin e tyre në arsim dhe jetën e të rinjve, si dhe për lidhjen mes arsimit dhe tregut të punës. Kryeministri nënvizoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet arsimin, veçanërisht arsimin profesional, duke theksuar se të rinjtë duhet të përgatiten në përputhje me kërkesat e tregut.
Drejtoresha e shkollës “7 Shtatori”, Hatixhe Ratkoceri, falënderoi për mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë në ndërtimin e shkollës së re dhe theksoi se interesimi për arsimin dual është rritur dukshëm që nga viti 2022.
Vizita u realizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy shkollave përmes projektit Superschools, i mbështetur nga RYCO.

