Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

PE i bën thirrje Ballkanit Perëndimor të intensifikojë reformat për t’u përafruar me BE-në

Qendra Info by Qendra Info
04/04/2025
in Lajme
0
PE i bën thirrje Ballkanit Perëndimor të intensifikojë reformat për t’u përafruar me BE-në
0
SHARES
4
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Parlamenti Evropian ka miratuar më 2 prill raportin vjetor mbi zbatimin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CSFP), ku theksohet se Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë nevojë për reforma të thella, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave themelore, administratës publike, dhe përafrimit me politikën e jashtme të BE-së (CFSP), përfshirë sanksionet dhe politikën e vizave.

Raporti, i hartuar nga David McAllister, raportues i PE-së për CFSP, u bën thirrje shteteve të Ballkanit Perëndimor që të përdorin të gjitha burimet në dispozicion për të mbështetur procesin e përafrimit me acquis të BE-së. Ai gjithashtu nënvizon rëndësinë e shoqërisë civile lokale dhe të gjallë në rajon, e cila është thelbësore për nxitjen e demokracisë, pluralizmit dhe përparimit social.

Shqipëria: Intensifikimi i reformave

Parlamenti Evropian përshëndet përfundimin e suksesshëm të procesit të shqyrtimit për Shqipërinë në fund të vitit 2023, si dhe hapjen e grupit të parë të kapitujve të negociatave në 2024. Megjithatë, PE kërkon intensifikimin e reformave për të adresuar mangësitë që ende ekzistojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai gjithashtu thekson nevojën për një pluralizëm politik të qëndrueshëm dhe një opozitë konkurruese, duke ftuar për një dialog konstruktiv ndërmjet shumicës dhe opozitës për të përmirësuar situatën politike në vend.

Bosnja dhe Hercegovina: Thirrje për reforma dhe sanksione

Parlamenti Evropian u bën thirrje autoriteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës që të zbatojnë të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian dhe të ndërmarrin veprime kundër retorikës dhe politikave secesioniste të udhëheqjes së Republikës Srpska. PE gjithashtu përsërit thirrjen për sanksione të synuara kundër Milorad Dodik dhe zyrtarëve të tjerë që mbështesin politikat destabilizuese.

Serbia: Solidaritet me protestuesit dhe përparimi në reforme

PE shpreh solidaritet me pjesëmarrësit e protestave paqësore në Serbi dhe bën thirrje për një hetim të plotë mbi akuzat për dhunë ndaj demonstruesve. Parlamenti Evropian kërkon që negociatat e pranimit të Serbisë në BE të avancojnë vetëm nëse vendi përputhet me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe bën përparim të dukshëm në reformat që lidhen me anëtarësimin në BE. Ai thekson se funksionimi i duhur i institucioneve demokratike është kyç për procesin e pranimit të Serbisë.

Kosova: Heqja e masave kufizuese

Parlamenti Evropian bën thirrje për heqjen e menjëhershme të masave kufizuese të vendosura ndaj Kosovës nga Këshilli Evropian dhe kërkon që oferta e Kosovës për t’u bërë vend kandidat të vlerësohet në bazë të meritave dhe përmbushjes së kritereve të Kopenhagës.

Mali i Zi: Përparimi në negociatat e pranimit

PE përshëndet përparimin e bërë nga Mali i Zi në përmbushjen e standardeve të BE-së, por gjithashtu shpreh shqetësime për propozimet legjislative të diskutueshme dhe thekson rëndësinë që qeveria e re të mbajë kursin e BE-së dhe të përparojë në negociatat për anëtarësim, duke pritur që Mali i Zi të jetë gati për t’u bashkuar me BE-në brenda dy viteve të ardhshme.

Maqedonia e Veriut: Nevoja për ndryshime kushtetuese

PE përshëndet përfundimin e suksesshëm të procesit të shqyrtimit për Maqedoninë e Veriut dhe kërkon që qeveria e vendit të arrijë rezultate të prekshme në përmbushjen e detyrimeve të saj për anëtarësimin në BE, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese të nevojshme.

Në këtë mënyrë, Parlamenti Evropian thekson se përparimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE është i mundur vetëm përmes përmbushjes së kritereve të përcaktuara dhe realizimit të reformave të thella, të cilat janë të nevojshme për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatshme për rajonin.

Related

Previous Post

Dyshohet se një polic ka humbur jetën në Prishtinë, reagon familja e të ndjerit

Next Post

Çfarë mund të bëjë “Syri i Zotit” dhe sa larg është drejtimi autonom?

Next Post
Çfarë mund të bëjë “Syri i Zotit” dhe sa larg është drejtimi autonom?

Çfarë mund të bëjë "Syri i Zotit" dhe sa larg është drejtimi autonom?

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.