Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike në vend, duke e cilësuar atë si një bllokadë të thellë që po thekson pabarazinë dhe mungesën e kompromisit në proceset institucionale.
Përmes një reagimi publik, Gashi ka theksuar se Kosova ndodhet në një krizë serioze politike, ku njëra palë ka monopolin e propozimit të Kryetarit të Kuvendit, ndërsa pala tjetër ka vetëm të drejtën e votës, por nuk ka barazi në vendimmarrje.
“Koha është për dalje nga kriza – jo për monopole, por për përfaqësim të drejtë,” është shprehur Gashi. Ai ka akuzuar partinë në pushtet se po ndjek një qasje përjashtuese, pa vullnet për kompromis, duke e cilësuar këtë si një shkelje të frymës demokratike.
Deputeti i LDK-së ka kritikuar edhe deklaratat e fundit të Kryeministrit, duke i konsideruar si përçmuese dhe të papërshtatshme për një udhëheqës shteti. “Shprehja e Kryeministrit ‘Hajt, se këta dorëzohen…’ nuk është as strategji, as vizion. Është përçmim,” ka deklaruar ai.
Ai thekson se është e papranueshme që institucionet të funksionojnë me arrogancë dhe se qytetari duhet të rikthehet si gjykatësi kryesor në një demokraci. Sipas tij, zgjedhjet janë rruga më legjitime dhe paqësore për të tejkaluar këtë bllokadë të dëmshme.
“Kur arroganca bëhet rregull – qytetari duhet të rikthehet si gjykatësi kryesor. O do të ketë zgjidhje me marrëveshje të drejtë, ose le të flasë qytetari!”, ka përfunduar Gashi, duke shtuar se vendi ka nevojë për përgjegjësi, integritet dhe vullnet të qartë politik për të dalë nga kriza.