Armando Broja është zyrtarisht futbollisti më i ri i Burnleyt, duke lënë pas epokën e tij te Chelsea për një kapitull të ri në Premier League. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ka dhënë pëlqimin për transferimin e përhershëm, ndërsa pritet të kryejë testet mjekësore brenda 24 orëve të ardhshme.
Broja, i cili u formua në akademinë e Chelsea dhe konsiderohej një nga talentet më premtues, ka kaluar dy vite të vështira pa gola, të ndikuara nga dëmtimet dhe huazimet jo shumë të suksesshme te skuadra si Fulham dhe Everton. Megjithatë, Burnley ka vendosur t’i besojë potencialit të tij, duke pranuar të paguajë 25 milionë euro për kartonin e sulmuesit 23-vjeçar.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Broja është pajtuar me një kontratë afatgjatë me klubin e ri, dhe do të udhëtojë drejt Burnley për të finalizuar gjithçka pas ekzaminimeve mjekësore.
Pavarësisht interesimit nga skuadra evropiane si PSV, Stuttgart dhe Leipzig, Broja ka zgjedhur të qëndrojë në elitën angleze, duke refuzuar ofertat jashtë Anglisë dhe duke vendosur të luftojë për ringritjen e tij në një mjedis të njohur.
Ky transferim përbën një kapitull të ri dhe të rëndësishëm për karrierën e Brojës, i cili synon të rikthehet në formën më të mirë dhe të ndihmojë Burnleyn në objektivat e sezonit të ri.