Armando Broja është tashmë pjesë zyrtare e klubit të Burnley në Premier Ligë. Sulmuesi shqiptar është transferuar nga Chelsea te skuadra e sapongjitur në elitën e futbollit anglez, me një marrëveshje të përhershme, e cila është bërë publike nga klubi, por pa zbuluar detaje financiare.
Broja ka firmosur një kontratë 5-vjeçare dhe synon të rigjejë formën e tij më të mirë, pas sezoneve me pak minuta për shkak të huazimeve dhe dëmtimeve.
“Jam shumë i kënaqur që jam këtu si një futbollist i Burnley-t. Është një periudhë me të vërtetë pozitive për t’u bashkuar me këtë klub përpara fillimit të sezonit të ri të Premier Ligës. Mezi pres të filloj! Ndihem mirë, jam gati dhe i emocionuar për sfidën që më pret,” u shpreh Broja pas nënshkrimit të kontratës.
Ai shtoi se tashmë e ndjen përkrahjen e tifozëve: “Që tani mund ta ndiej mbështetjen nga tifozët e Burnley-t. Mund t’ju them të gjithëve se do të jap gjithçka nga vetja sa herë që vesh këtë fanellë të famshme.”
Transferimi i Brojës pritet të jetë një shtysë e rëndësishme për klubin, i cili synon të konsolidojë pozitat në sezonin e ardhshëm në Premier Ligë.