Katër persona janë arrestuar nga organet e rendit nën dyshimet për përfshirje në vepra penale që lidhen me procesin e pajisjes me patentë-shoferë, përfshirë marrje ryshfeti, falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Lajmi është konfirmuar nga ministri Dimal Basha, i cili bëri të ditur se në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe një ekzaminere e angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.
Sipas tij, aksioni i autoriteteve është i mirëpritur dhe institucionet janë të gatshme për bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.
“Do të jemi të përkushtuar dhe të vendosur në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, theksoi ai, duke shtuar se synimi mbetet garantimi i integritetit dhe transparencës në institucionet publike.
Rasti vjen në një kohë kur lufta kundër korrupsionit në administratën publike mbetet një nga sfidat kryesore në vend, veçanërisht në sektorë që lidhen drejtpërdrejt me shërbimet për qytetarët.

