Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një operacion të përbashkët që rezultoi me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i parasë” dhe sekuestrimin e 40 mijë eurove të falsifikuara.
Sipas komunikatës së përbashkët, hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një pune disa mujore hetimore dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Operacioni është kryer në kryeqytet, ku në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë, policia ka ndaluar një automjet në të cilin ndodheshin dy të dyshuarit – S.T. dhe A.Th.
Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur dhe sekuestruar para të falsifikuara në valutën euro, në shumën totale prej 40,000 euro, të cilat pas testimit fillestar kanë rezultuar të falsifikuara.
Hetuesit kanë kryer edhe kontrolle shtesë në dy lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpitë dhe objektet përcjellëse të banimit të të dyshuarve.
Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.