Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për korrupsion gjatë procesit të testimeve për patentë-shofer.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përmes Sektorit për Hetimin e Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka realizuar arrestimin e të dyshuarve F.F. (1985) dhe M.S. (1987). Ata dyshohen se kanë pranuar ryshfet prej 850 euro për kandidat, në këmbim të kalimit të testit teorik për patentë-shofer.
Hetimet për këtë rast kishin nisur muaj më parë me autorizim të Prokurorisë Themelore, gjatë të cilave janë aplikuar masa të posaçme të hetimit, që kanë mundësuar sigurimin e provave të mjaftueshme për të dëshmuar kryerjen e veprës penale.
Gjatë aksionit të sotëm, policia ka sekuestruar:
-
850 euro para të gatshme,
-
dy telefona celularë,
-
dokumentacion/dosje të një kandidati, të cilat do të përdoren për procedura të mëtejme hetimore.
Të dyshuarit janë shoqëruar në ambientet e DHKEK-së, ku në prani të avokatëve mbrojtës janë intervistuar. Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

