Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës janë arrestuar në Tiranë gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Shtetit, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale R. B. dhe G. H., banues në Tiranë. Ata ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi UNMIK, përmes Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, kishte lëshuar më 13 janar 2026 urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tyre.
Të dy të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal”, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, vepra të parashikuara nga Kodi Penal i Kosovës.
Arrestimet janë realizuar në kuadër të fazave 78 dhe 79 të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, të zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit. Ky operacion synon lokalizimin dhe kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht.
Autoritetet shqiptare bëjnë të ditur se shtetasit janë ndaluar me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, ndërsa aktualisht po vijojnë procedurat ligjore për finalizimin e këtij procesi në bashkëpunim me autoritetet kosovare.
Policia thekson se operacionet kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për kapjen e personave të kërkuar do të vijojnë pa ndërprerje.

