Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprat penale armëmbajtje pa leje dhe gjueti të kundërligjshme në komunën e Zubin Potokut.
Ngjarja ka ndodhur më 19 tetor 2025, rreth orës 12:30, kur zyrtarët e Pylltarisë së Kosovës, gjatë kryerjes së detyrës në fshatin Kërligatë, kanë hasur në një automjet me tre persona të dyshimtë: V.H. (1993), F.S. (1997) dhe V.S. (1990).
Pas një mosmarrëveshjeje verbale mes palëve, zyrtarët e pylltarisë janë paraqitur në stacionin policor për të dhënë deklaratat e tyre, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor Zubin Potok, ku kanë dorëzuar vullnetarisht armët që kishin me vete:
-
3 pushkë gjuetie
-
1 pistoletë
-
25 fishekë
-
1 radio dore
Hetimet fillestare kanë konstatuar se zona ku po zhvillohej gjuetia është zonë e mbrojtur, ku aktiviteti i tillë është i ndaluar me ligj.
Me urdhër të prokurorit kompetent, pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale:
-
Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve; dhe
-
Gjueti e kundërligjshme.
Policia e Kosovës ka apeluar qytetarët që të respektojnë ligjet dhe rregulloret që ndalojnë gjuetinë në zonat e mbrojtura dhe të mos mbajnë armë pa leje, duke theksuar se çdo veprim i tillë rrezikon sigurinë publike dhe përbën shkelje ligjore.

