Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se incidenti ka ndodhur gjatë një operacioni policor për arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Kanosje”.
“Sipas raportit fillestar, patrulla policore ka ndërhyrë në një shtëpi në Klinë për të arrestuar një të dyshuar për ‘Kanosje’. Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka deklaruar Nikçi.
Megjithatë, ai shtoi se pas analizimit të provave të mbledhura, është konstatuar se ndaj të ndaluarit është ushtruar dhunë fizike, çka përbën elemente të veprës penale të keqtrajtimit nga ana e zyrtarëve policorë.
“Udhëheqësi i kësaj patrulle policore bashkë me dy zyrtarë të tjerë kanë ushtuar dhunë fizike ndaj të pandehurit. Të njëjtit sot janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë ndalur për 48 orë’’, ka thënë ai.
Ndërkaq, një ditë më parë Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Klinës.
Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së kurse incidenti ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarët policorë raportohet të ketë ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari.
“Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike”, thuhet në njoftim./Periskopi/