Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për vrasje në tentativë, pas një incidenti që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në fshatin Arllat të Drenasit.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:30, policia ka marrë informacionin se një person ishte plagosur me mjet të mprehtë, dyshohet me thikë. Viktima, R.B., është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.
Njësitet policore të Drenasit kanë reaguar me shpejtësi, duke nisur veprimet operativo-hetimore dhe duke identifikuar e arrestuar të dyshuarin, E.B., 29 vjeç.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti “Vrasje në tentativë”.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se hetimet lidhur me rastin janë ende në zhvillim.