Një operacion i policisë ekuadoriane ka çuar në pranga biznesmenin italian Panfilo C., i njohur edhe me pseudonimin Benny Colonico, i cili prej kohësh shihej si një personazh kontrovers në vend. Arrestimi i tij është bërë publik nga ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg.
Panfilo C. u ndalua në një banesë në Samborondón, ku autoritetet sekuestruan edhe tufa me para të falsifikuara. Dyshohet se ai ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me mafian shqiptare, e përfshirë fuqishëm në trafikun e kokainës në Amerikën Latine.Biznesmeni italian nuk është hera e parë që bëhet pjesë e kronikës së zezë në Ekuador:
-
Në qershor 2023, ai u rrëmbye në një restorant italian në pronësi të tij, brenda qendrës tregtare Garzocentro në Guayaquil, dhe u la i lirë pesë ditë më pas.
-
Në janar 2023, ishte i përfshirë në një shkëmbim zjarri pranë së njëjtës qendër tregtare, ngjarje që fatmirësisht nuk pati viktima.
Panfilo C. është përfolur gjithashtu për lidhje personale me prezantuesen e njohur televizive ekuadoriane Carolina Jaume, duke shtuar edhe më shumë polemikat që e shoqërojnë.Arrestimi i tij pritet të hedhë dritë mbi mënyrën se si funksionon rrjeti i mafias shqiptare në Ekuador, një organizatë që vitet e fundit është bërë një prej lojtarëve më të fuqishëm në trafikun e kokainës në rajon.
Ky zhvillim pritet të trazojë edhe më tej skenën e sigurisë në Ekuador, një vend që prej kohësh përballet me rritjen e kriminalitetit të lidhur me kartelët ndërkombëtarë të drogës.