Policia e Kosovës ka njoftuar sot për arrestimin e një personi të kërkuar nga drejtësia, i cili ishte dënuar me dy vite e gjysmë burg për veprën penale të “Fajdes”.
Sipas njoftimit zyrtar, njësia e Ndërlidhjes me Gjykatën pranë Stacionit Policor në Prizren – Veri, pas veprimeve operative dhe hetimore, ka realizuar urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren për personin e identifikuar me inicialet I.M., 49-vjeçar, nga fshati Krushë e Vogël.
I njëjti ishte në kërkim aktiv, pasi ndaj tij ekzistonte vendim i plotfuqishëm gjyqësor, me të cilin ishte dënuar për veprën penale në fjalë. Pas arrestimit, i dyshuari është dorëzuar në institucionin korrektues për të vuajtur dënimin.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e urdhëresave gjyqësore dhe në garantimin e sigurisë publike për qytetarët.