Policia e Kosovës ka arrestuar një 38-vjeçar me inicialet Xh.L, shtetas i Shqipërisë, në Kaçanik, nën dyshimin për veprën penale të “Mashtrimit”.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti është raportuar më 2 gusht 2025, rreth orës 03:10, nga një qytetar kosovar, 35 vjeç, me inicialet A.B., i cili kishte dorëzuar dy automjete të tipit VW Golf dhe Passat për shfrytëzim tek i dyshuari, me obligim që t’i ktheheshin më 31 korrik 2025. Megjithatë, edhe pas skadimit të afatit, automjetet nuk janë kthyer.
Fillimisht, me urdhër të prokurorit ishte iniciuar një shënim zyrtar, ndërsa më 6 gusht 2025 rasti është cilësuar si “Mashtrim”. Pas hetimeve të zhvilluara, më 18 gusht 2025, rreth orës 21:30, hetuesit policorë të Kaçanikut kanë arrestuar të dyshuarin Xh.L., i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të prokurorit të shtetit.
Policia bën të ditur se rasti është në procedurë hetimore dhe priten veprime të tjera ligjore.