Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi në Prishtinë, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e një skeme të gjerë falsifikimi të dokumenteve të pronave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke i bartur ato nga prona shtetërore në pronë private dhe më pas duke i shitur në mënyrë të paligjshme për përfitime financiare.
Sipas Policisë, i dyshuari është arrestuar më 1 nëntor 2025, pas hetimeve shumëvjeçare që mbulojnë periudhën 2021–2024. Ai dyshohet për disa vepra penale, përfshirë “Falsifikim dokumenti”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, “Mashtrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Hetimet kanë zbuluar se dokumentet janë falsifikuar për pronat që ndodheshin nën menaxhimin e AKP-së. Me anë të tyre, i dyshuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka arritur të legalizojë bartjen e pronave publike në emër të personave privatë, të cilat më pas janë shitur blerësve të mashtruar, duke përfituar shuma të mëdha parash.
Gjatë operacionit policor janë bastisur një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha, ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme, pajisje të përdorura për falsifikim, si dhe disa sende me vlerë, përfshirë një pistoletë me 103 fishekë, një telefon celular, një orë Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.
I dyshuari është intervistuar në prani të prokurorit të rastit dhe me vendim të tij është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet pritet të zgjerohen për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale.

