Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për posedim të paautorizuar të armëve, i cili rezultoi gjithashtu i kërkuar me urdhëresë gjyqësore për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi ka ndodhur më 17 janar 2026 rreth orës 01:50, gjatë patrullimit policor në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Prelez i Jerlive. Zyrtarët policorë, duke iu përgjigjur një informate për një mosmarrëveshje, kanë vërejtur një person të dyshuar i cili ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.
Pavarësisht urdhrave verbal për t’u ndalur, i dyshuari ka vazhduar ikjen në këmbë në drejtim të fushave. Pas një ndjekjeje rreth dy kilometra, policia ka arritur ta ndalojë dhe ta arrestojë.
Gjatë kontrollit trupor, te i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar një thikë me këllëf dhe një shufër metalike. Personi i arrestuar është identifikuar si A.I., 27 vjeç, i cili është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj.
Pas verifikimit të dokumentacionit, autoritetet kanë konstatuar se ndaj tij kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Ferizaj, si person i kërkuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, për të cilën ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore, A.I. është dërguar në vuajtje të dënimit.

