Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar se është njoftuar për arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, z. Lulzim Halili, nga autoritetet serbe, më 22 korrik 2025.
Sipas informacioneve zyrtare, Halili është ndaluar në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi, dhe është dërguar në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti. Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka tentuar të marrë informacione rreth arrestimit rreth orës 23:00 të së njëjtës natë, por zyrtari policor në detyrë ka refuzuar të japë detaje.
Më 23 korrik, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, dhe ka informuar paralelisht Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi. Deri në momentin e publikimit të këtij njoftimi, autoritetet serbe nuk kanë dhënë përgjigje.
Po ashtu, për rrethanat e këtij rasti janë njoftuar misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it në Serbi si dhe Delegacioni i BE-së.
MPJD njofton se, në rast të konfirmimit të masës së paraburgimit dhe fillimit të procedurave penale ndaj Halilit, do të parashtrohet kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes.
Ministria u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite nëpër territorin e Serbisë, për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.
MPJD nënvizon se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet lidhur me këtë rast dhe do të informojë opinionin publik me kohë për çdo zhvillim të ri.