Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se mbrëmë ka arrestuar një zyrtar policor të Njësisë Speciale Operative (Divizioni i Njësive Speciale), i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas IPK-së, arrestimi është bërë në kuadër të një hetimi të përbashkët me Policinë e Kosovës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetuesit e IPK-së, me autorizim të organeve të drejtësisë, kanë kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Vushtrri, ku janë gjetur prova që lidhen me rastin.
Në kuadër të procedurave, IPK ka rekomanduar suspendimin e policit të dyshuar nga detyra, deri në përfundim të hetimeve.
Institucioni ka bërë të ditur se hetuesit, në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës, do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.