Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon arrestimin e qytetarit kosovar, z. Hazir (Arif) Haziri, nga autoritetet e Serbisë më 8 shtator në pikën kufitare të Merdarës, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve zyrtare dhe diplomatike për të siguruar informacione të sakta mbi ndalimin e z. Haziri. Autoritetet kosovare kanë kërkuar sqarim ligjor dhe konfirmim të rastit nga pala serbe.
Rasti është bërë i njohur edhe për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it. Nëse ndaj z. Haziri vendoset paraburgim dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të kërkojë vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.
MPJD u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë për të garantuar sigurinë e tyre. Ministria gjithashtu kërkon reagim urgjent nga Bashkësia Ndërkombëtare ndaj praktikave të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut.
Ministria thekson se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve të Kosovës, kudo që ndodhen.