Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), përmes Divizionit të Statistikave të Popullsisë, ka publikuar të dhënat preliminare për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për muajin korrik 2025. Të dhënat janë bazuar në regjistrat administrativë të Agjencisë për Regjistrim Civil.
Sipas raportit, gjatë korrikut janë regjistruar gjithsej 2,664 lindje, prej të cilave 1,348 meshkuj dhe 1,316 femra, që paraqet një rritje prej 5% krahasuar me qershorin 2025.
Në anën tjetër, numri i vdekjeve ka qenë 876 raste (508 meshkuj dhe 368 femra), duke shënuar një ulje prej 3% krahasuar me muajin paraprak.
Raporti gjithashtu tregon një rritje të dukshme të kurorëzimeve. Gjatë muajit korrik janë regjistruar 1,236 kurorëzime, që është 45% më shumë se në qershor. Ndërkohë, shkurorëzimet kanë arritur në 177 raste, duke shënuar një rritje prej 31%.
ASK thekson se këto janë të dhëna preliminare dhe se grumbullimi e verifikimi i tyre do të vazhdojë çdo muaj përmes formularëve statistikore të dedikuar, për të siguruar statistika sa më të sakta dhe të besueshme në nivel vendi.