Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar publikisht ndaj raportimeve mediatike që e lidhin emrin e saj me dosjen e publikuar së fundmi për financierin amerikan Jeffrey Epstein, duke i cilësuar ato si tërësisht të pabaza dhe të pavërteta.
Në një sqarim publik, Jahjaga thekson se gjatë ushtrimit të funksionit si Presidente e Republikës së Kosovës, por edhe në asnjë periudhë tjetër, nuk ka pasur asnjë njohje, takim apo kontakt të çfarëdo lloji me Epstein.
Sipas saj, përmendja e emrit në disa raportime lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim apo lidhje personale me të.
“Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar. Në emailin e palëve të treta përmendet ‘Presidenti i Kosovës’, por nuk është e qartë se për cilin president bëhet fjalë, dhe as nuk përmendet ndonjë kërkesë për takim në emrin tim”, ka sqaruar Jahjaga.
Ajo ka theksuar se çdo raportim që e lidh atë drejtpërdrejt me dosjen Epstein përbën insinuatë dhe mashtrim të opinionit publik, gjë që sipas saj vërehet qartë edhe nga vetë dokumentet e publikuara.
Ish-presidentja ka kërkuar që ky sqarim të publikohet nga mediat që kanë lakuar emrin e saj, duke nënvizuar se nuk e ka njohur, nuk e ka takuar dhe nuk ka kërkuar kurrë takim me personin në fjalë, në asnjë pozitë që ka mbajtur ndër vite.
Dosjet Epstein, të publikuara nga autoritetet amerikane, kanë përfshirë emra të shumtë të figurave ndërkombëtare, por në shumë raste pa prova konkrete për takime apo lidhje direkte, duke nxitur debat dhe reagime publike në disa vende.

