Qeveria austriake ka shpallur masa të reja të ashpra për integrimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve, të cilat do të hyjnë në fuqi nga fillimi i vitit 2026. Ministrja për Integrim, Claudia Plakolm nga Partia Popullore (ÖVP), prezantoi në Kancelarinë Federale në Vjenë planin e ri, duke theksuar se “integrimi nuk është ftesë, por detyrim”.
Sipas planit, çdo refugjat dhe azilkërkues do të jetë i detyruar të marrë pjesë në kurse pesëditore të integrimit, ku do të diskutohet për vlerat, demokracinë, barazinë gjinore dhe kohezionin social. Në fund të kursit, pjesëmarrësit do të duhet të nënshkruajnë “Deklaratën mbi Integrimin”, e cila përmban dhjetë pika që kërkojnë respektim të vlerave dhe ligjeve austriake, luftë kundër dhunës dhe diskriminimit, si dhe angazhim për mësimin e gjuhës gjermane.
Plakolm paralajmëroi se refuzimi për të ndjekur kursin ose për të nënshkruar deklaratën do të sjellë sanksione, që mund të shkojnë nga ulja e përfitimeve sociale deri në humbjen e lejes së qëndrimit.
Zëvendësdrejtori i Fondit Austriak për Integrim, Roland Goiser, sqaroi se programi do të zgjasë tre vjet, me kurse të tjera shtesë – disa të detyrueshme, disa vullnetare – që do të përfshijnë tema si parandalimi i dhunës, barazia gjinore, dhe vullnetarizmi. Ai shtoi se përkthimet do të ofrohen në 11 gjuhë të ndryshme për të garantuar kuptueshmërinë e plotë.
Programi pilot i testuar më parë është cilësuar si i suksesshëm dhe tashmë do të bëhet pjesë e Programit të Integrimit Kombëtar, i cili sipas Qeverisë, synon të forcojë identitetin qytetar dhe respektin ndaj rendit ligjor austriak.
Mediat austriake raportojnë se qasja e re përbën një kthesë drejt politikave më të rrepta të integrimit, me mesazhin e qartë se “ata që nuk duan të integrohen, nuk do të marrin përfitime financiare nga shteti.”

