Policia e Kosovës, përmes Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) dhe Departamentit të Kufirit, ka parandaluar më 24 gusht 2025 një tentativë të kontrabandës me migrantë të paligjshëm në pikën e kontrollit afër kufirit Kosovë–Serbi, në Jarinjë.
Gjatë kontrollit të detajuar të një autobusi me targa (NP), i linjës Mitrovicë–Beograd, u zbulua se katin e parë e mbajnë 8 udhëtarë të regjistruar rregullisht, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj të paregjistruar, pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Kosovës.
Hetimet e para dhe intervistat me personat përgjegjës treguan një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim migrantësh. Pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi B. D., tentuan të shmangin përgjegjësinë, por provat treguan përfshirje direkte në organizimin e transportit të paligjshëm.
Verifikimi i dokumenteve zbuloi se:
-
5 shtetas palestinez kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23 gusht 2025;
-
6 shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova;
-
7 shtetas egjiptian kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Dyshuarit u intervistuan në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa viktimat u trajtuan sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës thekson angazhimin e saj të vazhdueshëm në luftën kundër migrimit të paligjshëm, kontrabandës me njerëz dhe çdo veprimtarie që kërcënon sigurinë dhe rendin kushtetues.