Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar hapur përgjegjësi politike dhe reformim të thellë në LDK pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, duke paralajmëruar edhe dorëheqjen e tij nga organet drejtuese të partisë nëse kjo nuk ndodh.
Në një reagim publik, Hoti thekson se LDK ndodhet në një moment të ndjeshëm dhe se askush me përgjegjësi politike nuk duhet të qëndrojë anash proceseve vendimtare për të ardhmen e partisë. Sipas tij, vetëm përmes unitetit, reflektimit dhe një procesi gjithëpërfshirës mund të rikthehet besimi i qytetarëve.
Ai rikujton se statuti i LDK-së është i qartë: në rast dorëheqjeje të kryetarit, Kuvendi i LDK-së duhet të mblidhet për t’u njoftuar zyrtarisht dhe më pas për të zgjedhur kryetarin e ri, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2021. Çdo shmangie nga kjo procedurë, sipas Hotit, përbën deformim të përgjegjësisë politike.
Hoti thekson se standardi i dorëheqjes pas një rezultati të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021 dhe është promovuar nga vetë kryetari aktual, Lumir Abdixhiku. Për këtë arsye, ai vlerëson se çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë standard sot është në kundërshtim të hapur me parimet e shpallura nga lidershipi aktual.
Sipas Hotit, rezultati i zgjedhjeve të fundit dëshmon qartë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe një riorganizim i plotë në të gjitha nivelet, përmes një procesi transparent, statutar dhe gjithëpërfshirës. Ai vlerëson se besimi i qytetarëve është dëmtuar dhe nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie politike.
Në fund, Hoti paralajmëron se nëse lidershipi aktual nuk hap rrugë për reformim dhe nuk merr përgjegjësinë që i takon, ai do të japë dorëheqje nga organet drejtuese të LDK-së. Sipas tij, ky është një qëndrim parimor dhe politik, në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

