Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke kritikuar qeverinë për rritjen e çmimeve dhe mungesën e masave konkrete.
Sipas saj, ndonëse inflacioni zyrtar për muajin mars është 6.7%, realiteti për qytetarët është shumë më i rëndë, pasi çmimet e produkteve dhe shërbimeve bazë janë rritur ndjeshëm.
Ajo ka listuar disa nga rritjet kryesore:
- Shërbimet për pajisjet personale të transportit +42.5%
- Biletat e fluturimeve +38.4%
- Shërbimet e ujit dhe banimit +31.9%
- Energjia dhe karburantet +17.4%
- Lëndët djegëse +15.6%
- Pemët +13.1%
- Mishi +12.4%
- Kafe, çaj dhe kakao +7.8%
Bajrami theksoi se kjo situatë po rëndon drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, duke shtuar se rritja e çmimeve njëkohësisht rrit edhe të hyrat e qeverisë përmes taksave.
Ajo kritikoi kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për mospërputhje mes deklaratave për stabilitet ekonomik dhe realitetit në vend.
Sipas saj, qeveria nuk ka ndërmarrë masa për të mbështetur prodhimin vendor dhe për të zbutur efektet e krizës globale në tregun e brendshëm.
“Çmimet nuk ulen me deklarata, por me politika konkrete që ndihmojnë prodhuesit dhe ekonominë vendore”, ka theksuar Bajrami.
Ajo përfundoi se qytetarët po detyrohen të heqin dorë nga produktet bazë për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve, duke e cilësuar situatën si një krizë që po paguhet çdo ditë nga konsumatorët në Kosovë.

