Nga protesta e mbajtur sot në Prishtinë, organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK), bashkëshortja e Jakup Krasniqit ka bërë një thirrje të fuqishme ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, duke kërkuar që të mos shpallet një aktgjykim dënues në emër të popullit.
E emocionuar para të pranishmëve, ajo tha se protestat si kjo janë dëshmi e vullnetit qytetar dhe se populli i Kosovës kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Jam shumë e emocionuar. Gjykata duhet ta ketë parasysh që aktgjykimin dënues nuk duhet ta marrë në emër të popullit. Ky që është këtu sot është zëri i popullit. Ne presim që ata të lirohen shumë shpejt,” deklaroi ajo.
Ajo shtoi se protesta të tilla është dashur të organizoheshin edhe më herët dhe bëri thirrje që mobilizimi qytetar të mos ndalet derisa të arrihet drejtësia dhe të vendoset lirimi përfundimtar i të akuzuarve.
Protesta e së enjtes në Prishtinë është një ndër disa të organizuara ditëve të fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me akuza për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë.