Brukseli po përgatit një strategji për të siguruar që armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA midis Izraelit dhe Hamasit të mos dëmtojë perspektivën e krijimit të një shteti palestinez, sipas një projekt-dokumenti të parë nga POLITICO.
Dokumenti katër-faqësh, i përgatitur nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), u prezantua përpara takimeve të ardhshme të ministrave të jashtëm dhe liderëve evropianë. Ai synon të maximalizojë ndikimin e BE-së në zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe të sigurojë një paqe të qëndrueshme në rajon.
Sipas dokumentit, me rritjen e numrit të qeverive evropiane që njohin shtetësinë palestineze, është thelbësore të forcohet narrativa për zgjidhjen me dy shtete, duke përfshirë rolin aktiv të BE-së dhe aktivizimin e kanaleve diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Synimi është që marrëveshja të zbatohet pa minuar qëndrueshmërinë e Autoritetit Palestinez.
Detaje të armëpushimit dhe roli i BE-së
Presidenti Trump njoftoi javën e kaluar armëpushimin, duke hapur rrugën për lirimin e pengjeve izraelitë dhe një tërheqje të trupave izraelite nga Gaza.
Sipas dokumentit, BE-ja do të kërkojë mbështetje nga kryeqytetet për:
-
Heqjen e barrierave ekonomike dhe financiare që pengojnë institucionet palestineze;
-
Rritjen e presionit ndaj kolonëve izraelitë që aneksojnë ilegalisht territorin në Bregun Perëndimor;
-
Bashkëpunimin me Izraelin, Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për të siguruar zbatimin e plotë të planit të armëpushimit.
Deri në fund të vitit, strategjia e BE-së synon rritjen e ndihmës humanitare në Gaza, përfshirë rishpërndarjen e misionit të kalimit kufitar Rafah (EUBAM) si një prani të palës së tretë për të mbrojtur kalimin e njerëzve. BE-ja do të eksplorojë gjithashtu monitorimin dhe këshillimin për transferimin e mallrave, nëse vendet anëtare japin dritën jeshile.
Perspektiva afatgjatë
Brukseli shpreson të bindë Izraelin të heqë kufizimet ndaj OJQ-ve humanitare dhe të marrë pjesë në projekte të tjera, përfshirë:
-
Heqjen e minave tokësore;
-
Rindërtimin e Gazës së shkatërruar nga lufta;
-
Investime dhe lehtësim të tregtisë;
-
Përdorimin e programit Erasmus për të ndërtuar besim midis komuniteteve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi në shtator se do të merrte masa ndaj ministrave izraelitë dhe do të zvogëlonte bashkëpunimin ekonomik në përgjigje të krizës humanitare në Gaza.
Megjithatë, POLITICO raporton se planet e BE-së pritet të ndalen ose ngadalësohen, pasi marrëveshja amerikane ka ndryshuar dinamikën, ndërsa disa kryeqytete shprehin skepticizëm mbi nevojën për veprime të menjëhershme. Një pjesë e vogël e vendeve më të ashpra janë zhgënjyer nga vonesa e BE-së për të prezantuar strategjinë e saj.