Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë sot një aksion të gjerë hetimor, që përfshiu bastisje dhe kontrolle të autorizuara nga gjykata në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime, në kuadër të rastit penal me shenjën PP.I.126K/23.
Bastisjet janë zhvilluar në dy institucione shtetërore – Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë e Arkivave të Kosovës, si dhe në disa lokacione të tjera që kanë interes për hetimin.
Gjatë këtij aksioni janë shoqëruar në polici pesë persona: M.B., V.B., B.SH., M.B. dhe Z.SH., ndërsa disa prej tyre janë arrestuar, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, konkretisht për bartje të paligjshme të pronës publike në pronësi private.
Hetimet e deritanishme tregojnë se prona në fjalë, e cila gjendet në lagjen Veternik të Prishtinës, është pjesë e pronës publike të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përkatësisht e ndërmarrjes shoqërore RTP, dhe dyshohet se është përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshme përmes një aktgjykimi të falsifikuar.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se hetimet janë ende në zhvillim dhe se mbetet e vendosur për të ndjekur penalisht çdo rast që cenon interesin publik dhe pasurinë shtetërore.