BBC i ka kërkuar falje Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për mënyrën se si u redaktua një pjesë e fjalimit të tij të 6 janarit 2021 në dokumentarin “Panorama”, por njëkohësisht ka refuzuar kërkesën për kompensim prej 1 miliard dollarësh. Në një letër personale dërguar Shtëpisë së Bardhë, kryetari i BBC-së, Samir Shah, ka kërkuar falje për “gabimin editorial” që mund të ketë krijuar përshtypjen se Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë ndaj mbështetësve të tij.
BBC ka pranuar se redaktimi i pjesëve të ndryshme të fjalimit dha përshtypjen e gabuar se bëhej fjalë për një segment të vetëm të pandërprerë. “Ne pranojmë që redaktimi ynë pa dashje krijoi përshtypjen se po tregonim një pjesë të vetme të vazhdueshme të fjalimit, në vend të fragmenteve nga pika të ndryshme të tij, dhe se kjo dha përshtypjen e gabuar se Presidenti Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme”, thuhej në deklaratën e korporatës.
Megjithatë, transmetuesi britanik ka refuzuar të pranojë kërkesën e Trump për kompensim, duke theksuar se “nuk ka asnjë bazë ligjore për shpifje” dhe se pretendimet për dëm financiar apo reputacional janë të pajustifikuara. Dokumentari “Trump: Një shans i dytë?” ishte transmetuar disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2024 dhe përmbante fragmente të ndryshme nga fjalimi i vitit 2021, përfshirë një pjesë ku Trump i ftonte mbështetësit e tij të “luftonin si ferr”, ndërsa kishte lënë jashtë momentin ku ai u kërkonte të protestonin “në mënyrë paqësore”.
Pas reagimeve të ashpra, BBC ka bërë të ditur se nuk ka në plan të ritransmetojë dokumentarin dhe ka theksuar se kompania e palës së tretë që e kishte prodhuar filmin kishte bashkuar tre citate nga dy pjesë të ndryshme të fjalimit, duke shkaktuar konfuzion për publikun.
Skandali çoi edhe në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, dhe shefes së lajmeve, Deborah Turness, të cilët thanë se “si drejtues të BBC News and Current Affairs, përgjegjësia na takon neve”.
Nga ana tjetër, ekspertët ligjorë kanë deklaruar se Trump do ta ketë të vështirë ta çojë çështjen në gjykatë, si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në SHBA. Në Britani, afatet ligjore për paditë e tilla kanë skaduar më shumë se një vit më parë, ndërsa në SHBA, ku dokumentari nuk është transmetuar, do të ishte pothuajse e pamundur të argumentohej se programi dëmtoi imazhin e tij.
Për më tepër, analistët theksojnë se fakti që Trump u rizgjodh president në vitin 2024 e bën të vështirë të provohet ndonjë dëm i vërtetë reputacional. BBC, ndërkohë, ka deklaruar se kërkimfalja zyrtare ndaj Trump-it ishte “shenjë përgjegjësie editoriale”, por jo pranim i ndonjë faji ligjor.

