Bashkimi Evropian ka hyrë në javën më agresive të politikave të migracionit prej vitesh, duke lëvizur drejt masave që dikur i përmendnin vetëm partitë e ekstremit të djathtë. Vendet anëtare kanë rënë dakord për rregulla të reja të azilit, mekanizma më të thjeshtuar të deportimit dhe një regjim të ri sanksionesh që synon goditjen e rrjeteve të kontrabandës së njerëzve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti këtë qasje “shkëputje nga biznesi i falimentuar i kontrabandistëve”, duke paralajmëruar masa të reja që do të prekin drejtpërdrejt rrugët ilegale të migrimit.
BE krijon një regjim të ri sanksionesh për kontrabandistët
Në Konferencën Globale kundër Kontrabandës së Migrantëve në Bruksel, ku morën pjesë mbi 80 delegacione, Von der Leyen konfirmoi se BE-ja po përgatit një paketë të posaçme sanksionesh ndaj rrjeteve të kontrabandës. Kjo nënkupton:
-
Ngrirje të aseteve,
-
Ndalesa udhëtimi,
-
Konfiskim të fitimeve të kontrabandës.
BE-ja po koordonon këtë mekanizëm me vendet e G7-s, duke e çuar luftën kundër kontrabandistëve në një nivel global.
Deportime më të lehta dhe qendra të reja në vende të treta
Ndërkohë, vendet e BE-së kanë miratuar tre ligje të reja që synojnë përshpejtimin drastik të procedurave të azilit. Një nga ndryshimet më të ndjeshme është rregullorja e re e kthimeve, që lejon:
-
Ndërtimin e “qendrave të kthimit” në vende jo-anëtare të BE-së,
-
Dërgimin e migrantëve dhe azilkërkuesve të refuzuar në këto qendra,
-
Trajtimin e tyre si tranzit deri në kthimin përfundimtar në vendet e origjinës.
Modeli tashmë po testohet nga Italia, që ka ngritur dy qendra të tilla në Shqipëri.
Kjo lëvizje hap derën që migrantët të përfundojnë në vende me të cilat nuk kanë asnjë lidhje personale, për sa kohë që ato vende konsiderohen “të sigurta” dhe kanë marrëveshje me një shtet të BE-së — një ide që i ngjan politikes së shumëdebatuar të Britanisë për deportimet në Ruandë.
Zgjerim i konceptit të “vendit të tretë të sigurt”
BE po definon më gjerë se kurrë se çfarë është një “vend i tretë i sigurt”, duke i dhënë shteteve anëtare më shumë hapësirë për të refuzuar kërkesat e azilit dhe për t’i dërguar aplikantët në vende të tjera që pranojnë marrëveshje me BE-në.
Kjo e redukton dukshëm mundësinë që migrantët të qëndrojnë në territorin e BE-së, pavarësisht nga rrethana individuale.
Lista e re e vendeve të sigurta të origjinës
Vendet e BE-së miratuan gjithashtu një listë të përbashkët të vendeve që konsiderohen “të sigurta” për qëllime azili. Ajo përfshin:
-
Kosovën,
-
Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun, Tunizinë,
-
Të gjitha vendet kandidate për BE-në (përveç Ukrainës).
Aplikimet nga këto vende do të trajtohen me procedura të përshpejtuara, duke i ulur ndjeshëm shanset për aprovime.
Kritika dhe dilema etike
Masat kanë ndezur zemërimin e organizatave të të drejtave të njeriut dhe grupeve të majta në Parlamentin Evropian, të cilat paralajmërojnë se BE po shkon drejt politizimit ekstrem të çështjeve të azilit dhe po rrezikon të çojë migrantët në vende ku mund të përballen me pasiguri dhe cenim të të drejtave.
Por shtetet anëtare, të shtyra nga rritja e flukseve, presioni politik i brendshëm dhe suksesi i partive të djathta, po bëjnë lëvizje që deri dje dukeshin të paimagjinueshme.

