Europa dhe NATO po përgatiten për një projekt gjigant mbrojtës, të cilin mediat e kanë quajtur “muri i dronëve” në krahun lindor të kontinentit, si përgjigje ndaj kërcënimit rus. Sipas llogaritjeve të para, për të ndërtuar këtë mur përgjatë kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë do të nevojiten rreth 20 milionë dronë, me një kosto totale jo më pak se 200 miliardë euro.
Takimi i zhvilluar dje me ministrat e Mbrojtjes të Bullgarisë, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Sllovakisë, ku mori pjesë edhe një përfaqësues i NATO-s dhe ministri ukrainas, u konsiderua “i klasifikuar” për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Komisioneri për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore nga Rusia janë “të papranueshme” dhe se përgjigjja duhet të jetë e “bashkuar dhe e menjëhershme”.
Operacioni, i quajtur “Mbikëqyrja e krahut lindor”, pritet të ketë tre komponentë kryesorë: një mur anti-dron, mbrojtje tokësore me armë konvencionale dhe një element detar, i kërkuar veçanërisht nga Rumania dhe Bullgaria për sigurinë në Detin e Zi.
Përvoja e Ukrainës në përdorimin dhe prodhimin e dronëve konsiderohet vendimtare, ndërkohë që BE është shumë prapa në këtë fushë. Incidentet e fundit në Poloni dhe Danimarkë kanë treguar se kjo është një sfidë e domosdoshme për mbrojtjen e kontinentit. Një prej problemeve kryesore është edhe kostoja: rrëzimi i një droni që kushton 10 mijë euro me një raketë një milionë euro është ekonomikisht i paqëndrueshëm.
Financimi i këtij projekti gjigant mbetet sfidë më vete. Po shqyrtohet krijimi i një fondi të posaçëm, përdorimi i borxhit të përbashkët ose paradhënie nga buxheti europian. Por për këtë nevojitet pajtimi pothuajse unanim i 27 shteteve anëtare, sidomos i fuqive të mëdha si Franca, Gjermania dhe Italia.
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen, theksoi nevojën për solidaritet: “Ashtu si Europa e Veriut ishte solidare me Europën e Jugut gjatë pandemisë, tani është radha e Europës perëndimore e jugore të mbështesin vendet e krahut lindor”. Ndërsa homologu polak, Władysław Kosiniak-Kamysz, paralajmëroi: “Të gjitha kombet e BE-së, edhe ato më të largëtat, do të kërcënohen nga Rusia”.
Ky projekt do të diskutohet më tej në Këshillin Evropian në fund të tetorit, ku pritet të përcaktohen hapat konkretë për zbatimin e tij.