Bashkimi Evropian po hyn në një fazë delikate reformimi, ku Italia dhe Gjermania po udhëheqin një shtytje të fortë për t’u dhënë më shumë pushtet shteteve anëtare dhe për të kufizuar ndikimin e Komisionit dhe Parlamentit Evropian në procesin ligjvënës.
Në një dokument të përbashkët të miratuar në Romë më 23 janar nga Giorgia Meloni dhe Friedrich Merz, Roma dhe Berlini kërkojnë thjeshtim urgjent të legjislacionit evropian, duke argumentuar se rregulloret aktuale po dëmtojnë konkurrueshmërinë e BE-së.
Dokumenti parashikon që Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian të jenë më të kontrolluar nga qeveritë kombëtare, në emër të efikasitetit, subsidiaritetit dhe proporcionalitetit. Në fokus është edhe eliminimi i nismave ligjore të bllokuara, të quajtura “nismat zombi”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një letër drejtuar liderëve evropianë përpara takimit informal mbi konkurrueshmërinë, ka theksuar se objektivi mbetet ecja e përbashkët e të 27 vendeve, por ka pranuar se “bashkëpunimi i përforcuar” – me të paktën 9 shtete – mund të jetë zgjidhje praktike.
Kjo qasje mbështetet edhe nga ish-kryeministri italian Mario Draghi, i cili e përkufizon si “federalizëm pragmatik”, një model ku vendet që janë gati ecin më shpejt, pa pritur konsensus të plotë.
Italia dhe Gjermania propozojnë gjithashtu:
-
një “frenë emergjence” kur ligjet krijojnë kosto shtesë për bizneset,
-
monitorim të rreptë të amendamenteve parlamentare,
-
raportim të rregullt të Komisionit para Këshillit Evropian.
Takimi i ardhshëm në Belgjikë pritet të mbledhë një grup të gjerë shtetesh, përfshirë Francën, Holandën, Poloninë dhe vendet nordike, duke sinjalizuar një ripozicionim të ekuilibrave brenda BE-së, ku Roma po zë gjithnjë e më shumë vendin e Parisit në boshtin me Berlinin.
Në një Evropë të përballur me presione globale, rikthimin e Donald Trump në SHBA dhe konkurrencë të fortë ekonomike, mesazhi nga Roma dhe Berlini është i qartë: më pak burokraci evropiane, më shumë vendimmarrje kombëtare.

