Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, i ka bërë thirrje kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán, që të heqë bllokadën ndaj kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën dhe të respektojë marrëveshjen e arritur nga liderët e Bashkimit Evropian në dhjetor.
Sipas raportimeve, Costa i ka dërguar një letër zyrtare qeverisë hungareze, ku thekson se Budapesti duhet të zbatojë vendimin e përbashkët të BE-së për të mbështetur financiarisht Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
Reagimi i Brukselit vjen pasi Hungaria paralajmëroi se do të bllokojë kredinë e planifikuar për Kievin nëse Ukraina nuk rifillon furnizimin me naftë ruse përmes tubacionit Druzhba, i cili furnizon Hungarinë dhe Sllovakinë.
Në një letër tjetër të cituar nga mediat ndërkombëtare, kryeministri Viktor Orbán e ka përsëritur kërcënimin për të bllokuar fondet, duke akuzuar Ukrainën për vonesa në riparimin e tubacionit, i cili u dëmtua nga një sulm me dron rus.
Costa paralajmëroi se mosrespektimi i marrëveshjes së arritur nga vendet e BE-së do të përbënte shkelje të parimit të bashkëpunimit mes shteteve anëtare.
“Asnjë shtet anëtar nuk duhet të minojë besueshmërinë e vendimeve të marra kolektivisht nga Këshilli Evropian”, thuhet në letrën e tij.
Në të njëjtën kohë, Costa theksoi se BE mbetet e përkushtuar për sigurinë energjetike të vendeve anëtare dhe njoftoi se çështjen e tubacionit Druzhba do ta diskutojë edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij në Ukrainë.

