Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me planin e autoriteteve të Kosovës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, duke theksuar se çdo vendim që lidhet me ndërtimin përgjatë këtij lumi duhet të merret me kujdes dhe me përfshirjen e të gjitha komuniteteve të prekura.
“Çdo vendim për çfarëdo ndërtimi përgjatë lumit Ibër duhet të merret në mënyrë gjithëpërfshirëse, me përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve të prekura,” ka deklaruar një zëdhënës i BE-së për Radion Evropa e Lirë më 21 qershor 2025.
Deklarata e bllokut vjen pas publikimit të një projekti nga Lëvizja Vetëvendosje, që parashikon ndërtimin e dy urave – në të majtë dhe në të djathtë të urës kryesore në Mitrovicë – të cilat sipas Qeverisë së Kosovës synojnë të rrisin lidhshmërinë dhe funksionalitetin urban në qytet. Këto ura parashihen si pjesë e një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi të mërkurën se projekti është formalizuar përmes një memorandumi të nënshkruar në prani të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe nënkryetares së Mitrovicës së Jugut, Ariana Tahiri.
“Ky është një hap për një qytet më të lidhur, më funksional dhe më të mirë për të gjithë qytetarët,” deklaroi ministri Aliu.
Megjithatë, Lista Serbe reagoi ashpër ndaj projektit, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për, siç e quajtën ata, “zbatim të një plani për spastrim etnik të popullit serb nga Kosova”.
Bashkimi Evropian, në reagimin e vet për REL, theksoi gjithashtu se “BE-ja nuk është në dijeni të këtij projekti dhe as nuk është e përfshirë në të”, duke nënvizuar se çdo vendim rreth urës kryesore dhe infrastrukturës në atë zonë duhet të merret në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe, aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorët. Njoftimet e mëhershme për hapjen e saj për qarkullim të automjeteve kanë shkaktuar tensione dhe reagime të forta ndërkombëtare.
KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, vazhdon të mbetet i vendosur në urë. Në një prononcim të mëparshëm për Radion Evropa e Lirë, KFOR ka deklaruar se çdo vendim për hapjen e urës duhet të bëhet brenda kornizës së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e BE-së.
Edhe në të kaluarën, BE ka kujtuar se çështja e urës është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe se çdo vendim për të duhet të përfshijë delegacionet zyrtare të të dyja palëve.