Bashkimi Evropian po shqyrton seriozisht krijimin e një posti të ri diplomatik, atë të një negociatori të posaçëm për Rusinë, mes frikës në rritje se Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë një marrëveshje me Kremlinin pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Evropës në çështjen e Ukrainës.
Sipas burimeve diplomatike për POLITICO, iniciativa po shtyhet fuqishëm nga Emmanuel Macron dhe Giorgia Meloni, të cilët kanë gjetur mbështetje edhe brenda Komisioni Evropian. Qëllimi është i qartë: Evropa të mos mbetet jashtë tryezës në negociatat që mund të përcaktojnë fatin e luftës në Ukrainë dhe arkitekturën e sigurisë në kontinent.
Diplomatë evropianë theksojnë se linjat e kuqe të BE-së, siç është perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe integriteti territorial i saj, mund të mbrohen vetëm nëse Brukseli ka një zë të drejtpërdrejtë në dialogun me Moskën dhe Uashingtonin.
Ideja vjen në një moment kur Presidenti amerikan Donald Trump po zhvillon kanale të drejtpërdrejta komunikimi me Vladimir Putin, ndërsa përpjekjet amerikane për ndërmjetësim deri më tani nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kremlini vazhdon të këmbëngulë në kërkesa territoriale që Kievi i konsideron të papranueshme.
Megjithatë, nisma po has edhe rezistencë brenda BE-së. Kritikët paralajmërojnë se emërimi i një negociatori mund të interpretohet si legjitimim i qëndrimeve ruse, pa asnjë garanci se Moska është e gatshme për negociata të sinqerta. Ende mbeten të paqarta kompetencat e rolit të ri: nëse do të përfaqësonte vetëm BE-në apo edhe një koalicion më të gjerë shtetesh perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Në diskutime kanë qarkulluar edhe emra konkretë, si ish-kryeministri italian Mario Draghi apo presidenti i Finlandës Alexander Stubb, megjithëse zyrtarë të BE-së theksojnë se aktualisht posti nuk ekziston zyrtarisht dhe çdo debat mbi kandidatë mbetet i parakohshëm.
Pavarësisht paqartësive, mesazhi nga disa kryeqytete evropiane është i fortë: Evropa nuk dëshiron të jetë thjesht spektatore në një proces që mund të riformësojë balancat gjeopolitike të kontinentit për dekada.

