Bashkimi Evropian pritet të propozojë shumë shpejt sanksione të reja ndaj autoriteteve iraniane, të cilat konsiderohen përgjegjëse për shtypjen e dhunshme të protestave antiqeveritare në Iran. Kështu ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në një reagim në platformën X, von der Leyen e cilësoi si “tronditës” numrin e viktimave të raportuara gjatë protestave në Iran, duke dënuar ashpër përdorimin e tepruar të forcës nga autoritetet dhe kufizimin e vazhdueshëm të lirive themelore.
Ajo theksoi se, në koordinim me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, do të ndërmerren hapa konkretë për vendosjen e masave ndëshkuese shtesë ndaj individëve dhe strukturave përgjegjëse për represionin, raporton BBC.
“Qëndrojmë në krah të popullit iranian, i cili po lufton me guxim për lirinë e tij”, deklaroi von der Leyen, duke riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për protestuesit dhe të drejtat themelore të njeriut në Iran.
Sipas burimeve evropiane, sanksionet e reja pritet të përfshijnë ndalime udhëtimi dhe ngrirje asetesh për zyrtarë dhe institucione të lidhura me dhunën ndaj protestuesve.

