Bashkimi Evropian po shqyrton një plan të ri për të ndryshuar rregullat e procesit të zgjerimit, me qëllim shmangien e vetos së vazhdueshme të Hungarisë ndaj anëtarësimit të Ukrainës.
Sipas propozimit të presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, hapja e grupeve negociuese do të vendosej me shumicë të kualifikuar, duke hequr dorë nga unanimiteti i 27 shteteve anëtare. Ndërkohë, mbyllja e grupeve do të mbetej nën rregullin e konsensusit të plotë.
Aktualisht, çdo fazë e pranimit kërkon miratimin unanim, çka i ka dhënë Hungarisë mundësinë të bllokojë për më shumë se një vit hapjen e kapitullit të parë të negociatave me Kievin, që mbulon fusha kyçe si demokracia, të drejtat e njeriut, drejtësia dhe siguria.
Budapesti ka justifikuar veton me arsyetime të ndryshme, duke përfshirë luftën e Rusisë, sigurinë energjetike, bujqësinë dhe statusin e pakicës hungareze në Ukrainë. Kryeministri Viktor Orbán zhvilloi edhe një konsultim kombëtar mbi këtë çështje, por në Bruksel durimi po shteron.
Një zyrtar i lartë i BE-së tha për mediat se Costa vendosi ta paraqesë idenë pas një turneu konsultativ në shtetet anëtare, përfshirë takimin me Orbán-in. “Nëse do të shihte se nuk kishte asnjë shans, ai nuk do ta paraqiste këtë propozim,” tha zyrtari, duke theksuar se ideja nuk është pritur negativisht nga asnjë lider.
Nëse gjen mbështetje politike, nisma mund të diskutohet këtë të mërkurë gjatë takimit joformal të liderëve të BE-së në Kopenhagë. Përfituesit kryesorë do të ishin Ukraina dhe Moldavia, pasi ofertat e tyre janë bashkuar joformalisht.
Një hap i tillë do të ishte një fitore diplomatike për Kievin, i cili ka kërkuar vazhdimisht garanci sigurie, dhe një shtysë për Kishinau-n, që përballet me ndërhyrje të vazhdueshme nga Moska.
Megjithatë, një pengesë kryesore mbetet: ndryshimi i kuadrit negociues kërkon gjithsesi pëlqim unanim. Komisioni Evropian deklaroi se ideja e kalimit në shumicë të kualifikuar për hapjen e grupeve “mund të eksplorohet”, por nuk e miratoi hapur propozimin.
“Kur një vend pengon procesin pa arsye objektive, besueshmëria e zgjerimit vihet në rrezik. Ukraina dhe Moldavia i kanë përmbushur kriteret e tyre, prandaj grupi i parë duhet të hapet,” tha një zëdhënës i Komisionit.
Edhe pse ka pasur spekulime për ndarjen e dy dosjeve, shumica e shteteve anëtare mbeten kundër, nga frika se një veprim i tillë do të përforconte taktikat bllokuese të Hungarisë.