Komisioni Evropian ka propozuar nisjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për të mundësuar tarifa më të favorshme roaming-u për udhëtarët nga Bashkimi Evropian.
Sipas njoftimit nga Brukseli, bisedimet do të zhvillohen me Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Plani kërkon miratimin e shteteve anëtare të BE-së përpara se të nisë zyrtarisht procesi negociues.
Çfarë do të ndryshonte?
Aktualisht, marrëveshjet vullnetare mes operatorëve celularë kanë sjellë ulje të pjesshme të tarifave roaming në rajon. Megjithatë, nëse arrihet një marrëveshje e plotë, qytetarët e BE-së do të mund të përdorin telefonat e tyre në Ballkanin Perëndimor me të njëjtat tarifa që paguajnë në vendin e tyre.
Që nga mesi i vitit 2017, qytetarët e BE-së nuk paguajnë tarifa shtesë roaming kur udhëtojnë brenda vendeve anëtare të Unionit. Zgjerimi i kësaj skeme në Ballkanin Perëndimor do të ishte një hap tjetër drejt integrimit gradual të rajonit në tregun e përbashkët evropian.
Perspektiva e anëtarësimit
Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë për të pranuar në të ardhmen të gjashtë vendet e rajonit, por procesi i anëtarësimit mbetet i kushtëzuar nga zbatimi konkret i reformave.
Sipas analizës së fundit të Komisionit Evropian, Mali i Zi konsiderohet më i avancuari në procesin e negociatave për anëtarësim, me mundësinë që bisedimet me Podgoricën të përfundojnë deri në fund të vitit.
Nisma për roaming-un shihet si një hap praktik drejt afrimit ekonomik dhe institucional të rajonit me Bashkimin Evropian.

