Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas lirimit me kusht të Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Haxhi Shala, duke e cilësuar këtë zhvillim si një lajm të gëzueshëm për familjet e tyre dhe për gjithë qytetarët që besojnë në pafajësinë e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Më në fund erdhi një lajm i mirë. Lirimi me kusht i Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Haxhi Shalës është një lajm i gëzueshëm për familjet e tyre dhe për të gjithë ne që besojmë në pafajësinë e çlirimtarëve tanë”, ka shkruar Hamza.
Megjithatë, ai ka theksuar se gëzimi nuk është i plotë, pasi në Hagë vazhdojnë të mbahen edhe çlirimtarë të tjerë, të cilët sipas tij po mbahen padrejtësisht.
“Përderisa edhe një i vetëm prej tyre nuk është kthyer në shtëpi, drejtësia mbetet e mangët”, ka shtuar ai.
Hamza ka ritheksuar bindjen se lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë dhe çlirimtare, e udhëhequr nga ideali i lirisë dhe mbrojtja e popullit të Kosovës.
“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare”, ka përfunduar ai.

