Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka uruar qytetarët me rastin e 28 Nëntorit, duke e quajtur këtë ditë një prej hallkave më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Hamza tha se 28 Nëntori mbush me krenari çdo shqiptar, duke përfshirë momente kyçe historike nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë, shpallja e pavarësisë në Vlorë, e deri te ditëlindja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Në mesazhin e tij të shpërndarë në rrjetet sociale, Hamza theksoi se flamuri kombëtar nuk është vetëm simbol, por premtim për një të ardhme më të mirë.
“E kuqja dhe e zeza, sot nuk janë vetëm ngjyra. Janë Shqipëri. Janë betim për një të ardhme prosperuese për shqiptarët,” shkroi ai.
Hamza uroi që festa të shënohet me dinjitet e bashkim:
“Gëzuar dhe festofshim gjithmonë me dinjitet!”

