Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe njëherësh kryetar i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka uruar Memli Krasniqin për rizgjedhjen në postin e kryetarit të partisë.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza vlerësoi se ky proces shënon një kthesë pozitive për subjektin politik që përfaqëson. “Urime mikut tim, Memli Krasniqit, rizgjedhja Kryetar i PDK-së. PDK-ja po rikthehet për ta marrë vendin që i takon, në shërbim të Kosovës dhe vetëm të Kosovës”, shkroi ai.
Hamza, i cili pritet të jetë figura kryesore e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shtoi se forca e partisë qëndron te uniteti i saj:
“Sot e përgjithmonë, forca jonë qëndron në bashkimin tonë”.
Rizgjedhja e Krasniqit u konfirmua në Konventën e Përgjithshme të PDK-së, e cila u mbajt sot në Prishtinë, ku ai ishte kandidati i vetëm në garë për kreun e partisë. Konventa shënon një moment të rëndësishëm në konsolidimin e brendshëm të partisë, në prag të zhvillimeve të reja në skenën politike kosovare.