Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar datën e mbledhjes së parë të Kuvendit të Shqipërisë, Legjislatura XI, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Deputetët e rinj do të mblidhen dhe betohen të premten, më 12 shtator, në orën 10:00, një ditë pas zhvillimit të Asamblesë së Partisë Socialiste.
Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve dhe deputetëve, Presidenti Begaj e cilësoi këtë moment si historik për Shqipërinë, duke theksuar se vendi ndodhet në një fazë vendimtare të rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor, Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane”, deklaroi Kreu i Shtetit.
Begaj theksoi gjithashtu rëndësinë e dialogut politik, duke u bërë thirrje mazhorancës dhe opozitës për një qasje konstruktive:
“Përgjegjshmëria dhe përulësia nga mazhoranca duhet të përplotësohen nga një opozitë aktive dhe e përkushtuar. Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike”.
Presidenti nënvizoi se legjislatura e re do të ketë përgjegjësinë e thellimit të reformave, përmirësimit të cilësisë së ligjeve dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, duke pasqyruar nevojat e qytetarëve dhe sfidat e kohës. Ai renditi mes prioriteteve madhore: luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, drejtësinë funksionale e të pavarur, sigurinë kombëtare, zhvillimin ekonomik e social, si dhe përfaqësimin dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Begaj theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, duke ruajtur rolin e saj si faktor paqeje e stabiliteti.
Seanca e 12 shtatorit shënon hapjen e një faqeje të re për institucionet shqiptare, me pritshmëri të larta për reforma dhe rezultate konkrete në rrugën drejt integrimit evropian.