Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë një vizite zyrtare në Maqedonia e Veriut është takuar me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, ku theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit për gjuhët dhe rolin e shqiptarëve në shtetin fqinj.
Në konferencën e përbashkët për media, Begaj deklaroi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues dhe kontribues të rëndësishëm për stabilitetin politik të vendit.
“Shqiptarët këtu janë shtetformues dhe kontribues konstruktivë për stabilitetin politik. Përfaqësimi i drejtë i tyre në institucionet shtetërore dhe zbatimi i ligjit të gjuhës shqipe janë elementë kyç për stabilitetin dhe perspektivën europiane të vendit”, tha Begaj.
Ai theksoi se Shqipëria e konsideron historike Marrëveshja e Ohrit dhe vlerësoi mekanizmat e barazisë që kjo marrëveshje ka sjellë për komunitetet etnike në vend.
Begaj dhe Siljanovska-Davkova diskutuan gjithashtu për integrimin evropian të dy vendeve, duke theksuar se objektivi është mbyllja e kapitujve të negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
Presidenti shqiptar u ndal edhe te rëndësia strategjike e Korridori VIII, duke e cilësuar atë si një projekt kyç për lidhjen energjetike, hekurudhore dhe rrugore mes rajoneve dhe për forcimin e sigurisë evropiane.
Nga ana tjetër, presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se pakicat etnike në të dy vendet janë ura të rëndësishme bashkëpunimi, duke shtuar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë thelbësore për stabilitetin në rajon.
Ajo theksoi se në një kohë sfidash dhe pasigurish në Evropë, bashkëpunimi politik, ekonomik dhe në fushën e sigurisë mes dy vendeve është i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

