Pas dështimit të 57-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Besian Mustafa ka theksuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me votimin e kandidatëve për kryetar Kuvendi. “Do të vazhdojmë ta kemi të njëjtin qëndrim. Nuk votojmë kandidat për kryetar Kuvendi nga një parti politike me të cilën nuk kemi marrëveshje politike paraprake,” tha Mustafa.
Ai u pyet edhe për reagimin e Donika Gërvallës, e cila e krahasoi veprimin e tij me atë të Listës Serbe, duke përmendur edhe lidhjet familjare. Mustafa theksoi se gjatë gjithë karrierës së tij politike nuk ka komentuar kundër politikanëve të ngjashëm dhe se familjarët dhe heronjtë e vendit duhet të vlerësohen pa u përdorur për interesa ditore politike. “Donika është Donikë,” shtoi ai.
Së fundmi, Gërvalla kishte shkruar në Facebook për bashkëpunimin e disa figurave politike me PDK-në dhe Listën Serbe, duke kritikuar mungesën e mbështetjes për kandidaturën e saj.