Anëtari i NISMA-s Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka zbuluar prapaskenat e takimeve mes Fatmir Limajt dhe Albin Kurtit, duke sqaruar pse nuk u arrit asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje mes dy palëve.
Në emisionin “Pressing”, Sherifi theksoi se Limaj kishte qenë i prerë me Kurtin që NISMA nuk ishte e interesuar të bëhej pjesë e Qeverisë, por vetëm për bashkëpunim në Kuvendin e Kosovës.
“Limaj i ka bërë të qartë Kurtit se jemi të gatshëm për partneritet në Kuvend, por jo në Qeveri. Nuk ka pasur ofertë konkrete, sepse Fatmiri nuk e ka lejuar as të flasë për poste ministrore. Ai i ka thënë qartë që nuk është i interesuar për këtë. Kurti ka thënë se do ta pyes Kryesinë e VV-së, por e kishte fjalën për postin e Kryetarit të Kuvendit. Pas atij momenti, nuk i është lajmëruar më Fatmirit,” – deklaroi Sherifi.
Ai tregoi se pas disa takimeve me Kurtin, Limaj kishte thirrur Kryesinë e NISMA-s, ku kishte raportuar për bisedimet, dhe aty ishte marrë vendim unanim që partia të mos hyjë në Qeveri.
“Pas atij takimi të fundit, një ditë para seancës, Limaj ftoi Kryesinë e Nismës dhe i informoi për bisedën me Kurtin. Vendimi ishte i qartë: ‘Jo në Qeveri, vetëm partneritet në Kuvend’. Dhe kjo u miratua. Kurti më pas propozoi Albulenën (Hadërgjonaj) dhe nuk e kontaktoi më Limajn,” – tha Sherifi.
Sipas tij, edhe pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit, Kurti ka tentuar të rikthejë kontaktin me Limajn, por pa sukses.
“Zoti Limaj i ka thënë se, meqë nuk u arrit bashkëpunimi në parlament dhe nuk u pa e arsyeshme një marrëveshje për Kuvendin, atëherë nuk ka asnjë arsye të flitet për qeveri. Ia ka uruar suksese më tej dhe aty ka përfunduar komunikimi i fundit mes tyre,” – përfundoi Sherifi.